Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka shkruar sot lidhur me zgjedhjet që po mbahen për Parlamentin Evropian, gjersa thekson se në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë janë më të rëndësishme se kurrë.
Konjufca u ka bërë thirrje shumë shqiptarëve që janë shtetas e me të drejtë vote në vendet e BE-së të dalin e të votojnë në këto zgjedhje për partitë pro-evropiane, por në veçanti t’i mbështesin kandidatët shqiptarë që garojnë nën siglën e shumë partive evropiane.
“Kandidatë si Muharrem Salihu, Adnan Dibrani e shumë shqiptarë të tjerë duhet ta kenë mbështetjen e mërgatës sonë, si përfaqësues të ardhshëm jo vetëm të interesave të diasporës sonë, por edhe të kombit dhe shteteve tona”, shkruan Konjufca.
Lexoni të plotë njoftimin:
Në rrethanat politike, gjeopolitike dhe të sigurisë në të cilat ndodhet Evropa sot, zgjedhjet për Parlamentin Evropian janë më të rëndësishme se kurrë.
Në këto zgjedhje nuk do të zgjidhen vetëm përfaqësuesit e qytetarëve të shteteve anëtare në Parlament, por do të dëshmohet edhe vendosmëria e Evropës në mbrojtjen e vlerave të saj fundamemtale të cilat sot po i kërcënohen drejtpërdrejtë nga pushtimi rus në Ukrainë. Prandaj, këto zgjedhje janë zgjedhje historike dhe do të mund të determinojnë të ardhmen e BE-së mbase edhe në dekadat në vijim. Një Bashkim Evropian unik në mbrojtjen e vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe dinjitetit të popujve dhe shteteve do të jetë arma më e fortë kundër Rusisë pushtuese dhe ideologjive fashiste.
Këto zgjedhje nuk do të jenë pa ndikim edhe mbi rajonin tonë i cili të vetmen rrugë të sigurt drejt paqes dhe prosperitetit e ka rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Shumë procese në Ballkanin Perëndimor do të varen nga qasja, qartësia dhe gatishmërisë e BE-së për t’i përkrahur vlerat e saj të lirisë e demokracisë në rajonin tonë. Një qasje e barabartë dhe e drejtë ndaj të gjithëve do të jetë esenciale në evropianizimin përfundimtar të shteteve tona.
Prandaj, duke qenë të kësaj rëndësie, zgjedhjet evropiane nuk do të jenë të rëndësishme vetëm për shtetet anëtare, por për të gjithë ne. Shumë shqiptarë që janë shtetas e me të drejtë vote në vendet e BE-së duhet të dalin e të votojnë në këto zgjedhje për partitë proevropiane, por në veçanti t’i mbështesin kandidatët shqiptarë që sot garojnë nën siglën e shumë partive evropiane.
Kandidatë si Muharrem Salihu, Adnan Dibrani e shumë shqiptarë të tjerë duhet ta kenë mbështetjen e mërgatës sonë, si përfaqësues të ardhshëm jo vetëm të interesave të diasporës sonë, por edhe të kombit dhe shteteve tona. Duke i votuar këta kandidatë, ne do t’i çojmë në Parlamentin Evropian përfaqësues që do t’i mbrojnë vetë parimet dhe interesat e Evropës, sepse proevropianizmi i shqiptarëve është në natyrën tonë kombëtare!.