Vizituam objektin e ri të Fakultetit të Bujqësisë.
Ky objekt i cili ka nisur të ndërtohet në vitin 2013 sipas planit dinamik është dashur të përfundojë me 4.7.2015, i ka kushtuar buxhetit të shtetit 3,523,365, 74 Euro, por për shkak të keqplanifikimit, keqmenaxhimit, keqpërdorimit, e neglizhencës, për më shumë se 10 vite akoma nuk ka përfunduar. Si rrjedhojë, vitin e ardhshëm akademik rrezikohet regjistrimi i studentëve për shkak të mos akreditimit të programeve studimore.
Që në fillim të mandatit, në bashkëpunim me Këshillin Drejtues të Universitetit kemi kërkuar që të bëhet auditim për tenderin “Ndërtimi i Objektit të FBV-së”, me numër Protokolli.1/664 të datës 04.07.2013 dhe pas auditimit e kanë proceduar në Prokurori më 23.05.2022.
Në gjetjet e këtij raporti ndër të tjera konstatohet se ka pasur:
-Mungesë të funksionimit të kontrollit të brendshëm lidhur me zbatimin e projektit për ndërtimin e FBV;
-Mos ndërmarrje të masave ligjore për vonesat në realizimin e projektit;
-Mangësi dhe lëshime në secilën fazë të projektit dhe secilin nivel të menaxhimit.
Bashkë me zv. Ministrin Kelmendi, Rektorin Qerimi, Kryetarin e Këshillit Drejtues të UP-së, pamë nga afër gjendjen e objektit dhe biseduam që sa më parë të gjendet një zgjidhje optimale deri në finalizimin e objektit sipas standardeve të nevojshme për ndërtesat universitare.
Do të ndërmarrim gjithçka që është në kompetencat tona që të tejkalohen problemet e trashëguara, që studentët të mos pësojnë, të mundësohet regjistrimi i studentëve në vitin e ri akademik dhe njëkohësisht të merren masat sipas legjislacionit në fuqi ndaj personave përgjegjës.