Të paktën një pilot është vrarë në një përplasje të tmerrshme në ajër gjatë një shfaqjeje në Portugali.
Siç raportohet, dy aeroplanë të vegjël janë rrëzuar gjatë shfaqjes ajrore Beja përpara mijëra shikuesve, ndërsa pamjet tronditëse tregojnë momentin kur njëri nga aeroplanët rrëzohet në tokë përpara se të shpërthente.
Ndërkohë, të përfshirë në aksidentin aerobatik kanë qenë edhe pesë aeroplanë të tjerë, me një pilot me kombësi spanjolle të plagosur, kanë njoftuar Forcat Ajrore Portugeze, shkruan the Sun, përcjell Telegrafi.
“Forcat ajrore me keqardhje njoftojnë se në orën 16:05 në Beja Air Show, dy aeroplanë u bënë viktimë e një aksidenti gjatë një demonstrimi ajror”, deklaruan Forcat Ajrore Portugeze.
Bëhet e ditur se menjëherë pas aksidentit ngjarja është anuluar, ndërsa 30 automjete të urgjencës shkuan në vendngjarje.
“Shprehim keqardhje dhe ngushëllime për familjen, miqtë dhe të njohurit, për këtë humbje”, thuhej në deklaratën e Forcave Ajrore Portugeze.
Vlen të përmendet se shfaqja ishte organizuar për nder të 72 vjetorit të Forcave Ajrore me gati 100 mijë vizitorë gjatë gjithë fundjavës.
Tani, policia e vendit ka nisur hetimet për aksidentin së bashku me Prokurorinë Publike dhe Zyrën për Parandalimin dhe Hetimin e Aksidenteve të Aeroplanëve.
Ndryshe, ky aksident vjen vetëm disa ditë pas një tjetri nga i cili mbeti i vdekur një pilot i Forcave Ajrore Mbretërore të Britanisë së Madhe.
Ai kishte marrë pjesë në një shfaqje ajrore për të përkujtuar rolin e RAF në mbrojtjen kundër sulmeve gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.