Pas publikimit të listës së lojtarëve nga trajneri i kombëtares shqiptare Sylvinho për pjesëmarrjen në Euro 2024, një mungesë e spikatur ka tërhequr vëmendjen e publikut – ajo e sulmuesit Myrto Uzuni.
Lojtari ka qenë një element kryesor në formacionin e kuqezinjve për një kohë të gjatë dhe me performancën e tij të shkëlqyer në klubin e tij, duke shënuar 11 gola në La Liga për këtë sezon, pritej të ishte një zgjedhje e paevitueshme.
Megjithatë, trajneri Sylvinho në vend të tij ka thirrur një lojtar tjetër për pozicionin në krahun e majtë të sulmit, duke zgjedhur Arbër Hoxhën nga Dinamo Zagreb për të plotësuar këtë rol.
Kjo zgjedhje ka lënë Uzunin jashtë skuadrës së përgatitur për kompeticionin e madh evropian.
Reagimi i parë ka ardhur nga klubi i Granadës, ku Uzuni aktualisht luan. Klubi spanjoll shprehu mbështetjen e tij për lojtarin nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, i cili përfshinte një foto të Uzunit, me emoji të shqiponjës dhe të zemrës ku shkruhej: “Gjithmonë për Myrton”.
Ky postim shpejt u bë qendër diskutimi për ndjekësit e skuadrës, të cilët e vlerësuan përkushtimin dhe kontributin e Uzunit në klub, duke theksuar se ai kishte luajtur edhe duke qenë i lënduar për të ndihmuar ekipin e tij.