Reagim ndaj artikullit: Qytetarët marrin paratë për pajisje për efiçiencë, por i shpenzojnë diku tjetër
Me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, duke iu referuar lajmit të transmetuar në RTV Dukagjini me datë 08.06.2024 dhe më pas publikuar nga portale tjera se kinse mjetet e ndara për Subvencionimin e Efiçiencës së Energjisë nuk janë përdorur nga qytetarët për qëllimin e përcaktuar, Ministria e Ekonomisë (ME) lëshon këtë:
Reagim/Demant:
Në kronikë thuhen shumë të pavërteta për procesin e subvencionimit të masave të efiçiencës së energjisë për qytetarët (familjet) dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të shpallura nga Ministria e Ekonomisë me mbështetje të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në kronikën e transmetuar më datë 08.06.2024, thuhet se Ministria e Ekonomisë nuk ka kthyer përgjigje, por në fakt në adresën elektronike të gazetarit të TV Dukagjini, nga i cili janë paraqitur pyetjet, ME-ja ashtu siç ka premtuar edhe është përgjigjur me datë 07.06.2024 në orën 05:45.
Ju njoftojmë se i gjithë procesi i subvencionimit të efiçiencës së energjisë ka kaluar përmes një transparence të plotë, pa keqpërdorime, nga i cili proces kanë përfituar qytetarët, ku janë arritur rezultate të dukshme në kursimin e energjisë, pasi qytetarët dhe bizneset janë pajisur me pajisje efiçiente, duke paguar më pak për to.
Ministria e Ekonomisë shpalljen e thirrjeve publike për subvencionim të efiçiencës së energjisë, e ka bërë përmes konferencave, takimeve me qytetarë e përfaqësues të bizneseve dhe përmes fushatave informuese në media e rrjete sociale.
ME ka pasur një bashkëpunim të mirë me mediat gjatë tërë këtij procesi, për çka i falënderojmë, pasi që çdoherë kanë treguar gatishmëri që t’i përcjellin konferencat e organizuara, kanë ndarë hapësirë televizive në mënyre që qytetarët të njoftohen sa më shumë për thirrjet dhe i kanë publikuar komunikatat e dërguara nga Ministria e Ekonomisë.
Po ashtu ME-ja ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që të njoftohen sa më mirë qytetarët për thirrjet publike, ka pasur ekipet në “shtëpizën” e vendosur para ME-së, janë shfrytëzuar të gjitha kanalet zyrtare të ME-së, ueb-faqja, rrjet sociale, broshurat dhe materiale tjera njoftuese.
Të gjitha thirrjet janë shpallur në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë: https://me.rks-gov.net/shpallje-2/#c9b449013775d1bd0
Përgjigja që i është dërguar gazetarit të RTV Dukagjini:
I nderuar,
Komisionet për verifikim kanë bërë verifikimin në terren të përfituesve, përfshirë edhe rastet që nuk e kanë kompletuar dokumentacionin dhe dorëzuar me kohë. Deri më tani nuk është evidentuar ndonjë rast i cili nuk e ka përmbushur obligimin.
Verifikimi në terren është bërë teķ aplikuesit për subvencionim të pajisjeve për ngrohje dhe pajisjeve elektroshtepiake.
Ju njoftojmë se, puna e komisioneve të verifikimit do të vazhdojnë deri në përmbyllje të procesit.