Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG), ka larguar një pjesë nga raporti i saj për sulmin në Banjskë që thuhej se KFOR ka negocuar për tërheqjen e e paramilitarëve serbë nga Banjska.
“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport, pjesë kjo që tashmë nuk gjendet në raportin e njëjtë.
Për këtë pjesë, tash aty thuhet se në vendin e ngjarjes kishte qenë i pranishëm edhe EULEX dhe se grupi (sulmuesit serbë), u tërhoqën në pyjet përreth, duke lënë armët e rënda.
Raporti i përditësuar vjen pasi KFOR-i ka hedhur poshtë pretendimet e raportit se misioni paqeruajtës i NATO-s negocioi për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në pjesët e përditësuara thuhet se në fillim të 24 shtatorit, paqeruajtësit e KFOR-it zbuluan lëvizje të pazakonta pranë Banjskës, një fshat në komunën e Zveçanit, dhe njoftuan Policinë e Kosovës.
“Një makinë patrulle gjeti kamionë të bllokuar rrugën dhe u sulmua. Një oficer u vra nga një mjet shpërthyes i improvizuar dhe të tjerë u plagosën. Përforcimet gjetën rreth 30 luftëtarë serbë të armatosur rëndë (supozohet se ishin kryesisht ose ndoshta ekskluzivisht nga veriu i Kosovës) të cilët kishin hyrë në një manastir mesjetar afër fshatit. Në përleshje me zjarrin, të paktën tre serbë vdiqën. Një përplasje e tensionuar pasoi midis grupit dhe policisë speciale të Kosovës që i rrethonte. Në vendngjarje ka qenë i pranishëm edhe EULEX-i. Duke lënë pas armët e tyre të rënda, grupi u tërhoq në pyjet përreth, nga të cilat ata u larguan”, thuhet aty ndër të tjera.