Panairi “Prishtina 2024” mundësi për fuqizimin e investitorëve të rinj
Panairi “Prishtina 2024” mundësi për fuqizimin e investitorëve të rinj
Është hapur zyrtarisht Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024”, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, në të cilin ndërmarrje nga Kosova dhe më gjerë po promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre, me qëllim të zgjerimit, depërtimit dhe rritjes së pjesëmarrjes së tyre në tregjet e huaja.Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ky panairi ndihmon në promovimin dhe rrjetëzimin e bizneseve lokale, tërheqjen e investitorë të rinj, rritjen e eksporteve dhe gjenerimin e të ardhurave për bizneset, në mënyrë që Kosova të pozicionohet sa më fuqishëm në tregun ekonomik.Derisa iu referuar të dhënave të Bankës Botërore, Bislimi tregoi se gjatë tri vjetëve të fundit Kosova ka arritur mesatarisht rritje ekonomike 6.2 për qind.
Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka folur rreth zhvillimeve në këtë panair si një mundësi për investime të reja, diskutime dhe prezantimin e ndërmarrjeve të suksesshme.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se panairi Prishtina 2024 ndërton ura bashkëpunimi dhe promovimin e produkteve vendore dhe se promovimi i vazhdueshëm i tyre duhet të jetë orientim për të ardhmen për institucionet tona.Ushtruesja e detyrës së drejtorit të USAID-it, Kerry Monaghan-Hogler ka vlerësuar rolin e rëndësishëm të bizneseve kosovare për krijimin e lidhjeve të reja me ekonomitë në Evropë dhe më gjerë. Ajo përmendi si sukses sektorin e përpunimit të drurit, ku rritja e kësaj industrie gjeneroi mbi 200 milionë euro në eksport.
Kryetari i Këshillit të Biznesit të Saudi South Europe (SSE) Abdulrahman Almufarreh tha se kanë nënshkruar një marrëveshje me Odën Ekonomike të Kosovës, me të cilën synojnë të rrisin bashkëpunimin e bizneseve mes Arabisë Saudite dhe Kosovës.
Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2024” do të jetë i hapur për vizitorë deri më 31 maj.