Opozita në Gjilan, kryetarit Hyseni: Lëri inatet politike anash, më shumë transparencë e bashkëpunim në interes të qytetarëve

Mospjesëmarrjen së fundmi të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni në seancat e Kuvendit Komunal opozita po e konsideron si qasje destruktive.

Shefi i Grupit të këshilltarëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdyl Aliu ka thënë për Telegrafin se mospjesëmarrja e kryetarit është shembulli më i keq dhe se kjo mospjesëmarrje sipas tij ka të bëjë me shmangien e të nxënit ngushtë të tij dhe drejtorëve në përgjithësi.

“Shembulli më i keq për një kryetar të komunës është mospjesëmarrja në seancat e Kuvendit Komunal. Kjo mospjesëmarrje ka të bëjë me shmangien e të nxënit ngushtë të kryetarit dhe drejtorëve në përgjithësi në kuvend komunal me rastin e çështjeve që ngritën në kuvend komunal në të cilat raste ka shkelje të shumta, keqpërdorime të shumta dhe papërgjegjësi të madhe”, ka thënë Aliu.

Ai thekson një shembull ku në seancën e fundit të kuvendit, e cila nuk është mbajtur, në plan ka qenë për t’u diskutuar raporti financiar që sipas tij nuk është në rregull në të gjitha aspektet.

“Për shembull, në seancën e ndërprerë kemi pasur për ta diskutuar raportin financiar që në fakt është katastrofal në të gjitha aspektet, pastaj kemi pasur prezantimin e projektit të rruges ‘Hamdi Kurteshi’, i cili ka filluar me shkelje të dy Planeve Rregulluese, atë të ‘Livadheve te Arapit’ dhe ‘Montith’. Prandaj, duke mos dashur që të diskutohen këto dhe çështje tjera, kryetari i komunës nuk siguron punë normale të kuvendit komunal”, ka thënë ai, duke shtuar se punën e tij të qeverisjes e karakterizon një terr i madh informativ, me shkelje dhe keqpërdorime të shumta.

Pas thirrjeve të shumta të opozitës për transmetim medial të seancave të kuvendit, Aliu thotë se ka afërsisht një vit që komuna është pa një operator të transmetimit të seancave të kuvendit komunal.

Ndër të tjera, Aliu thekson se Komuna e Gjilanit në mungesë të transparencës në disa raste, është dënuar me mjete financiare nga Agjencia për Privatësi dhe Informim.

Ai tutje shton se asnjëherë deri më tani nuk ka pasur në këtë nivel mosbashkëpunim ndërmjet kuvendit komunal dhe kryetarit të komunës.

“Është përgjegjësi e kryetarit të komunës që të bëjë të mundur bashkëpunimin me opozitën në të mirë të projekteve zhvillimore të komunës”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, nga Partia Demokratike e Kosovës – dega në Gjilan, Riad Rashiti, ka thënë se si pasojë e mosfunksionimit të punës së Kuvendit Komunal janë bllokuar mbi 2.5 milionë euro.

“Mbi 2.5 milionë euro të bllokuara si pasojë e mosfunksionimit të punës së Kuvendit Komunal në Gjilan. Papërgjegjësia institucionale e pushtetit të VV-së në Gjilan, inatet politike dhe problemet e jashtëzakonshme të krijuara nga kryetari i komunës, ka bërë që gjithçka të bllokohet në projektet e planifikuara në këtë vit”, ka thënë Rashiti.

Gjithashtu, edhe Rashiti tha se mos-transparenca ndaj publikut e ka vlerësuar qytetin e Gjilanit të fundit prej komunave të Kosovës.

Ai gjithashtu bëri thirrje për reflektim nga i pari i Komunës që të lërë inatet politike dhe të bashkëpunojë me përfaqësuesit e qytetarëve të kuvendit komunal.

“PDK kërkon reflektim nga i pari i komunës, që të lërë inatet politike dhe të bashkëpunojë me përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvendin Komunal. Qytetarët e Gjilanit nuk janë fajtorë dhe nuk duhet të pësojnë për shkak tekeve tuaja si kryetar komune. Puna ligjore, bashkëpunimi dhe transparenca janë çelësi i ecjes para të projekteve dhe planifikimeve tjera për komunën tone”, ka theksuar ai.

Related Posts