KQZ fillon takimet me kryetarët e komunave
Podujevë, 29 maj 2024 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar një raund takimesh me kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës.
Të mërkurën, anëtarët e KQZ-së: Sami Kurteshi, Sami Hamiti, Arianit Elshani, drejtori i SKQZ-së, Burim Ahmetaj dhe Zyrtari Ekzekutiv i Komisionit Komunal në Podujevë, Islam Demolli u pritën në takim nga kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunim ndërinstitucional lidhur me zbatimin e detyrimeve ligjore pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij ligji, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionerëve dhe numëruesve si dhe hapësira për adaptimin e Qendrave Komunale të Numërimit.
Për qëllim të njëjtë, gjatë ditëve në vazhdim, KQZ do të zhvillojë takime edhe me kryetarë të komunave të tjera.