Kosova sot nuk hyri në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, pavarësisht se në muajin prill Asambleja Parlamentare kishte rekomanduar fuqishëm anëtarësimin.
Gjermania, Franca dhe Italia kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me “hapa konkret” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
E në ditën kur Kosova nuk hyri në agjendë të Komitetit të Ministrave, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, i cili shënoi 75-vjetorin e themelimit të organizatës më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, kishte intervenime nga shtete të ndryshme anëtare të cilat kërkuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Megjithëse sot ishte dita kur do të duhej të votohej anëtarësimi ynë në këtë organizatë dhe në këtë formë të dërgohej një mesazh i fuqishëm për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në 75-vjetorin e themelimit të Këshillit të Evropës dhe në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare nuk e futën në agjendën e sotme dhe nuk morën vendim për thirrjen e një mbledhje të jashtëzakonshme për anëtarësimin pa vonesë të Republikës së Kosovës”, shkruan ajo.