Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar pakot sanksionuese ndaj Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit.
Kabineti qeveritar miratoi propozim-vendimin e zbatimit nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të BE-së për vendosje të masave kufizuese ndaj Republikës Islamike të Iranit, propozim-vendimin për plotësimin e vendimit të Qeverisë nr.01/64 të datës 25 shkurt 2022 të për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të BE-së dhe ShBA për vendosje të sanksioneve ndaj federatës Ruse dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë dhe propozim-vendimin për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të BE-së për vendosje të masave kufizuese lidhur me shkeljen serioze dhe abuzimin me të drejtat e njeriut në federatën ruse.
Zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi derisa shtjelloi këto masa tha se njëra nga sanksionet ndaj federatës ruse lidhet me vrasjen e liderit opozitarë rus Alexei Navalny
“Në vazhdim të mbështetjes së kundërshtimit të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe në përputhje me sanksionet e BE-së dhe ShBA-së, MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendimet për zbatimin e pakos së 12 dhe 13 të sanksioneve të BE-së ndaj federatës ruse për cenim dhe kërcënim të integritetit territorial. Sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe sanksione tjera për shkelje të rënda dhe abuzime të rënda me të drejtat e njeriut që lidhen me vrasjen e liderit opozitarë rus Alexei Navalny. Gjithashtu edhe pakon e sanksioneve ndaj Iranit gjegjësisht ndaj personave të subjekteve të përfshirë në aktivitetet e raketave bërthamore dhe personave që ofrojnë mbështetje për qeverinë e Iranit”, tha Gashi.
Kosova ka qenë pjesë e shteteve perëndimore që kanë sanksionuar Rusinë për luftën në Ukrainë që kur nisi në vitin 2022.