Në Zvicër nisi një takim dyditor, ku synohet të hidhen hapat e parë drejt paqes në Ukrainë edhe pse ekspertët dhe kritikët thonë se pritet pak përparim.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një konference shtypi me presidenten zvicerane, Viola Amherd, se në këtë takim do të “shkruhet historia”. Ai tha se ky takim ka arritur suksesin e pritur.
“Ne kemi arritur t’i kthejmë botës idenë se përpjekjet e përbashkëta mund të ndalojnë luftën dhe të vendosin një paqe të drejtë. Unë besoj se ne do të dëshmojmë që historia po bëhet këtu në këtë takim”, tha Zelensky.
Zëvendëpresidentja amerikane, Kamala Harris, njoftoi më shumë se 1.5 miliardë dollarë ndihmë pjesërisht për sektorin energjetik të Ukrainës. Harris e bëri njoftimin pas mbërritjes në takimin që filloi në Luzern të Zvicrës.
“Kjo ndihmë do të ndihmojë Ukrainën t’i përgjigjet sulmeve të fundit të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike duke mbështetur riparimin dhe rimëkëmbjen e tyre, duke përmirësuar qëndrueshmërinë e Ukrainës ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji dhe duke hedhur bazat për riparimin dhe zgjerimin e sistemit energjetik të Ukrainës”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e zveëndëspresidentes amerikane.
Ajo njoftoi gjithashtu se 379 milionë dollarë do të jepen si ndihmë humanitare nga Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar për të ndihmuar refugjatët dhe njerëzit e tjerë të prekur nga lufta.
Bëhet e ditur se rreth 100 delegacione, përfshirë udhëheqës të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara do të jenë të pranishëm
Ndërsa ekspertët thonë se mospjesëmarrja e Rusisë lë pak shanse për arritjen e një suksesi.
Ndërkohë, Turqia dhe Arabia Saudite kanë dërguar Ministrat e tyre të Jashtëm, e vendet kryesore në zhvillim si Brazili, India dhe Afrika e Jugut do të përfaqësohen në nivele më të ulëta.
Pekini nuk po merr pjesë në këtë takim, me arsyetimin se është humbje kohe përderisa në të nuk merr pjesë Moska.
Ndryshe, plani i paqes i Ukrainës i hartuar nga presidenti Zelensky, përshkruan 10 propozime që përmbledhin pikëpamjet e presidentit për t’i dhënë fund luftës kundër agresionit të Rusisë, tashmë në vitin e tretë.
Plani paraqet synime ambicioze, përfshirë tërheqjen e trupave ruse nga territori i pushtuar ukrainas, ndërprerjen e luftimeve dhe rivendosjen e kufijve shtetërorë të Ukrainës me Rusinë, përfshirë Krimenë.
Vetëm tri tema do të jenë pjesë e tryezës së takimit: siguria bërthamore, përfshirë centralin bërthamor të Zaporizhzhias të kontrolluar nga Rusia; ndihma humanitare; dhe siguria ushqimore, jo vetëm në Ukrainë, por globalisht, veçanërisht efektet e përhapura të luftës në prodhimin bujqësor dhe eksportet e Ukrainës. /VOA/