Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili udhëhiqte me Komunën e Gjilanit, ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale të cilës i prin Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haziri ka thënë që sot janë bërë dy vjet që Gjilani ka mbetur pa kryetar.
“Është fatkeqësi e madhe që Gjilani sot e dy vjet ka mbetur pa kryetar. Kjo udhëheqje e Komunës ka paaftësi financiare, mosdije në zbatim e mungesë vizioni, duke e rezikuar progresin që ne e kemi shkaktuar në të kaluaren e afërt, po e rezikon të ardhmen e po e mbytë shpresën për gjeneratat e reja, dhe ia ka garantuar një regres Gjilanit”, shkroi ai.
Më tej Haziri tha se Gjilani ka rrëshqitur në regres, që sipas tij nënkupton degradim të projekteve të filluara, e mosrealizim në disa projekte tjera.
“Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes së VV-së, Gjilani ka rrëshqitur në regres që nënkupton degradim të projekteve të filluara e mosrealizim të projekteve në shtratin e lumit Mirusha, në shtratin e lumit Stanishorka, në rrugët regjonale nuk kemi zhvillim të punimeve, përkatëisht në rrugën Gjilan-Prishtinë, kemi ndalje të punimeve në rrugën Gjilan-bunari i Përlepnicës, kemi anulim të rrugës nga “Planeti” në drejtim të Banjës së Dobëranit. Të mos flasim për moszhvillimin e projektit të ndriçimit në fshatra. Ndërkaq, po e ritheksojmë, asnjë arsye nuk ka që të shtyhet impianti për trajtimin e ujërave të zeza deri në vitin 2027”, shkroi Haziri.