Dugolli: Vetëm një votë kundër Kosovës në NATO – sukses i madh për vendin

Vetëm Hungaria e Viktor Orbanit votoi kundër avancimit të statusit të Kosovës në NATO,derisa disa shtete tjera abstenuan.

Profesori Bujar Dugolli e konsideron hap të rëndësishëm avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Në RTV Dukagjini Dugolli tha se kalimi i vetëm me një votë kundër është një sukses i madh për vendin.

“Ky është hapi tjetër më i rëndësishëm që Kosovës i ka ndodhur në këtë vit në aspektin e integrimit në strukturat euroatlantike, është një hap i rëndësishëm i Kosovës drejt rrugës për anëtarësim të plotë në NATO. Statusi i personit të asociuar në këtë asamble është i rëndësisë së veçantë për faktin se do të rritet numri i pjesëmarrësve të Kuvendit të Kosovës në këtë Asamble… dhe kalimi i vetëm me një votë kundër është një sukses shumë i madh dhe këtu është shumë me rëndësi që roli i SHBA-ve në këtë aleancë tregon që edhe vendet që janë mosnjohëse thjesht në njëfarë mënyre në raport me Kosovën kanë një mirëkuptim të konsiderueshëm për faktin se vendi ynë është vendi më pro NATO-s”, tha ai.

Ai ka sqaruar se ku qëndron dallimi në mes Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Dugolli thotë se është vetëm çështje kohe, derisa Kosova të bëhet pjesë anëtare e KiE-së.

“Asambleja Parlamentare e KiE-së ka kaluar atë votim dhe ai nuk mund të përsëritet dhe tani çështja e pranimit të Kosovës është vetëm një çështje kohe dhe nuk mund të kthehet mbrapa, ndërsa pranimi në NATO është një procedurë tjetër e cila edhe po të jetë Kosova anëtare e barabartë në këtë Asamble, çështja e aleancës së NATO-s është një mekanizëm tjetër, i cili padyshim që ndodh, por kjo është një rrugë që e çon në atë drejtim. Te çështjet e sigurisë është një qëndrim i përbashkët i aleancës Veriatlantike dhe mendoj që ka dallime këtu për faktin që në këtë aleancë SHBA-të kanë rolin më të rëndësishëm thuajse vendimtare në aspektin e sigurisë edhe të Evropës dhe për këtë arsye ky është një mekanizëm i ndryshëm në raport nga mekanizmat e tjerë. Kjo është një kohë e mirë dhe situatë e mirë për Kosovën”, shtoi ai.

Po ashtu, ai potencon se anëtarësimi në këto dy mekanizma është në rrugën e duhur.

Megjithatë, sipas tij, Kosova nuk duhet të pushojë së kërkuari posaçërisht pranimin në NATO.

“Sepse pranimi në NATO i hap mundësi vendit dhe ia garanton sigurinë e cila është e rrezikuar nga shteti fqinj Serbia…”, tha më tej ai.

Related Posts