Disa nga aktivitetet policore në kuadër të task forcës së planit operativ “DRONI”
Në kuadër të Njëjësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë është themeluar një task forcë pjesë e planit operativ “Droni”, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, parandalimin e aksidenteve të trafikut, identifikimin e kundërvajtësve, në veçanti identifikimin dhe parandalimin e kundërvajtjeve të rrezikshme.
Duke marr parasysh numrin e madh të kundërvajtjeve që shkaktojnë drejtuesit e mjeteve, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të tjerëve, si masa preventive dhe ndëshkuese në kuadër të aktiviteteve të kësaj task force, nga data 24.05.2024 e deri me datën 28.05.2024, janë konfiskuar si masë mbrojtëse njëqind e dymbëdhjetë (112) patentë shoferi për kundërvajtjet të ndryshme, ndër të tjera për: tejkalime në vende të ndaluara, tejkalime të kolonës së mjeteve, mos ndalja në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë etj. Gjithashtu gjatë kësaj kohe janë shqiptuar edhe nëntëqind e dy (902) gjoba për kundërvajtje të ndryshme si: tejkalime të shpejtësisë, përdorimi i telefonit dhe mos vendosja e rripit të sigurisë gjatë ngasjes etj.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë do të vazhdoj me marrjen e masave të ndryshme preventive me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve, sidomos atyre me pasoja të rënda.