Dy vetura me tabela të Serbisë janë djegur nën rrethana ende të pasqaruara në veri.Zëdhënësi i policisë rajonale në veri Veton Elshani ka bërë të ditur për KosovaPress se rasti ka ndodhur në rrugën “Kral Petri” në Mitrovicën e Veriut.“Sot, më datë 1 qershor 2024, rreth orës 02:25 në rrugën “Kral Petri” – Veri Mitrovicë, veturën e tipit “Skoda Octavia”, ngjyrë e kuqe me targa serbe ishte përfshirë komplet nga zjarri dhe ky zjarr e ka kapluar edhe veturën e tipit “Mercedes C”, ngjyrë e zezë me targa serbe”, ka thënë Elshani.
Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikëset që e kanë lokalizuar zjarrin, eksperti i zjarrit dhe hetuesi kujdestar ku e ka njoftuar Prokurorin Kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si zjarrvënie.
Elshani po ashtu ka bërë të ditur se për momentin nuk ka persona të dyshuar për implikim në lidhje me rastin.