Mbi 300 mijë euro është vlera e pagave të dhjetë deputetëve serbë nga dhjetori i vitit 2022 deri më 30 prill të këtij viti. Ata paraqiten në seancë një herë në gjashtë muaj, megjithatë paguhen për punën që nuk e bëjnë. Pas nënshkrimit nuk qëndrojnë në sallën plenare, por në këtë formë ruajnë mandatin e deputetit.
Partitë opozitare konsiderojnë se kjo është e papranueshme dhe në dëm të buxhetit të Kosovës. Edhe organizatat joqeveritare të cilat monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës, thonë se po cenohen interesat e qytetarëve.Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj konsideron se qeveria do të ishte dashur të diskutojë me deputetët e Listës Serbe.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku thotë se bojkoti i deputetëve serbë është i papranueshëm.
Ligji për Festat Zyrtare, Ligji për Liritë Fetare e Ligji për Arsimin e Lartë nuk po arrijnë të kalojnë procedurat në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së deputetëve të Listës Serbe.Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë për KosovaPress, se po cenohen interesat e qytetarëve të komunitetit serb.
Përveç në seanca plenare, Jakaj shton se deputetët serbë po bojkotojnë komisionet dhe kryesinë e Kuvendit.
Hera e fundit që deputetët serbë u paraqiten në sallë plenare ishte më 8 shkurt. Këta i morën mandatet e tyre në nëntor të vitit 2022, kur paraardhësit e tyre dhanë dorëheqje.