Belgjika ngre shkallën e paralajmërimit për sulm terrorist, pas vrasjes së dy suedezëve në Bruksel

Autoritetet belge kanë ngritur në nivelin më të lartë shkallën e paralajmërimit për terrorizëm, atë 4, pasi të hënën mbrëma dy shtetas suedezë u qëlluan për vdekje në Bruksel. Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, e ka lidhur sulmin me “terrorizëm”.

Qendra anti-terror (OCAD) ka njoftuar se shkalla e gatishmërisë është rritur në nivelin më të lartë në Bruksel, ndërsa në pjesën tjetër të Belgjikës është ngritur në nivelin e dytë më të lartë.

Laura Demullier, nga qendra OCAD, ka thënë se prioritet tash për autoritetet është që të largojnë të sigurtë nga stadiumi mijëra tifozë që ishin duke shikuar ndeshjen mes Belgjikës e Suedisë, eliminatore për “Euro 2024” në futboll. Raporton agjencia “AP”.

Ndeshja u pezullua pas pjesës së parë.

Ministrja e Brendshme e Belgjikës, Annelies Verlinden, ka thënë se “sulmuesi është duke u gjurmuar”. Aj ka thënë se është mbledhur Qendra e Krizave Kombëtare.

Mediat belge kanë raportuar se sulmuesi kishte thirrur “Allah Ekber” para se të fillonte sulmin. Është publikuar edhe video e sulmit. Po ashtu në rrjete sociale është publikuar video ku sulmuesi tregon se është anëtar i Shtetit Islamik (IS). Në video ai pretendon se ka vrarë tre persona. Por, Policia nuk ka mundur ta verifikojë videon.

Related Posts