17 kick boksierë nga Kosova kanë udhëtuar në Bari të Malit të Zi, ku më 1 dhe 2 qershor do të zhvillohet Kampionati Ballkanik i Kick Boksit
Në këtë garë të rëndësishme, kick boksierët kosovarë kanë udhëtuar me synimin për të rrëmbyer medalje elitare, për ta përsëritur suksesin e arritur në Lojërat Mesdhetare në Turqi.Trajneri i ekipit senior të kick boksierëve të Kosovës, Ilir Mengjiqi ka thënë për KosovaPress se Kosova do të kthehet me disa medalje elitare edhe pse konkurrenca është e madhe.
Kryetari i Federatës së Kick boksit të Kosovës, Fatmir Makolli, tha për KosovaPress se pret të arrijnë rezultate pozitive. Ai shtoi se kick boksierët kosovarë do të luftojnë që ta përfaqësojnë denjësisht vendi në këtë garë të rëndësishme.
Përveç Kosovës, në këtë kampionat marrin pjesë edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Turqia, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.