Ambasadorja e Izraelit falënderon kosovarët që ndezën qirinj për izraelitët e vrarë nga Hamasi

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka ndarë pamje nga organizimi i ndezjes së qirinjve në Prishtinë, për nder të viktimave nga sulmi i Hamasit në Izrael.

Ambasadorja Ziv, ka falënderuar të gjithë ata që u janë bashkuar këtij organizimi.

“Qytetarët e Kosovës organizuan ndezjen e qirinjve për nder të viktimave të sulmeve terroriste të Hamasit në Izrael. Faleminderit të gjithëve që iu bashkuan kësaj nisme! Ne qëndrojmë me Izraelin”, shkroi ajo krahas fotografive të publikuara.

Një grup hebrenjsh në Kosovë kanë ndezur qirinj në kujtim të viktimave izraelite të vrara deri tash si pasojë e sulmit nga grupi palestinez Hamasi.

Aty prezent ka qenë edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili ka ndarë fotografi nga ndezja e qirinjve.

Ai ka thënë se sulme të tilla terroriste nuk mund të justifikohen dhe se ShBA qëndron me Izraelin.

“Sonte, iu bashkova komunitetit hebre kosovar në një vigjilje për jetët izraelite të humbura në sulmet e tmerrshme nga Hamasi. SHBA-ja dënon pa mëdyshje këto sulme të tmerrshme. Nuk ka asnjë justifikim për terrorizmin. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin e Izraelit”, shkroi Hovenier.

Raportohet se mbi 1200 izraelitë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës mes Hamasit dhe Izraelit. Të vdekur kanë mbetur edhe mbi 1400 palestinezë. 

Related Posts
Lexo më shumë

Të shtëna me armë në Prishtinë

Të dielën në Prishtinë është raportuar që një person ka shtënë me armë. “Është raportuar se i dyshuari…