U kritikua për golin e dytë të Italisë, reagon për herë të parë Hysaj

Dy ditë më parë Shqipëria e nisi kampanjën e tyre të Kampionatit Evropian 2024, ku përballë kishin Italinë.

Kuqezinjtë pësuan me rezultat 2-1 në ndeshjen e cila u zhvillua në “Signal Iduna Park” të Dortmundit aty ku prezent ishin qindra mijëra tifozë shqiptarë.

Sidoqoftë, ajo që mori vëmendjen krahas rezultatit të ndeshjes, ishte shmangia që bëri Elseid Hysaj ndaj goditjes së Nicolo Barellas.

Barella shënoi në minutën e 16-të për të rikthyer epërsinë 2-1 në të mirë të Italisë, aksion në të cilin Hysaj uli kokën duke bërë që goditja e italianit të përfundonte në portë.

Kritikat që mori reprezentuesi shqiptar pas ndeshjes ishin të shumta, pasi shumë prej tifozëve besonin se Hysaj duhej ta largonte topin me kokë.

Tashmë ka ardhur edhe reagimi i parë i Hysajt që prej asaj ndeshje, i cili përmes rrjetit social Instagram i kërkoi falje tifozëve duke thënë se veprimi i tij erdhi si pasojë e instiktit.

“Pas ndeshjes me Italinë dhe evenimenteve të fundit, ndjej t’i kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve shqiptarë për gabimin teknik dhe instiktiv që shkaktoi golin e dytë që pësuam. Është e tepërt të specifikoj që ishte pikërisht gabim loje dhe vlerësim i rremë i trajektores”.

“Kush më njeh e di mirë që do të jepja çdo forcë që kam e do bëja çdo sakrificë për këtë bluzë, siç kam bërë gjithmonë. Më vjen keq për strumentalizimin pa vend nga shumë persona të gabimit përtej vlerësimit teknik”.

“Nga ana tjetër falënderoj përzemërsisht të gjithë tifozët e panumërt që më kanë dërguar mesazhe konfortimi në forma të ndryshme. I pranoj me vetëdije kritikat dhe keqardhjen e tifozëve anë e mbarë të cilët pa përjashtim i mbaj në zemër”.

“Tash të koncentrohemi te ndeshjet e ardhshme dhe forca Shqipëri gjithmonë”, përfundoi Hysaj.

Related Posts