25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës e shënojmë pa kufinj me Shqipërinë
Bashkë me homologun e mikun tim, Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë Taulant Balla sot vizituam pikë kalimin e përbashkët kufitar në Vërmicë. Me qëllimin e realizimit në mënyrën më të mirë të mundshme të marrëveshjes për heqjen e kontrolleve kufitare të qytetarëve të dy vendeve tona, nga sot do të aktivizohet korsia e veçantë e kalimit kufitar për ta. Mes dy vendeve tona nuk do të ketë kontrolle për qytetarët tanë por po punojmë që të kemi sisteme të avansuara teknologjike që luftojnë ilegalitetet ndërkufitare.
Në shënim të përvjetorit të çlirimit të vendit tonë, janë shënjuar edhe 20 vendkalimet e veçanta për banorët e brezit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilat do të mundësohet lëvizja e lirë mes banorëve të atyre zonave.
Vazhdojmë, me qëllimet më të mira të përafrimit të vendeve tona dhe qytetarëve tanë, ashtu siç na njeh historia.