Ambasada e Francës në Kosovë: Vizita e Kouchnerit u anulua për shkak të problemeve logjistike

Ambasada e Francës në Kosovë ka bërë me dije se vizita e ish-përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner, u anulua për shkak të problemeve logjistike, ndërsa do të zhvillojë vizitë në Kosovë në një datë të mëvonshme.Ambasada përmes një komunikate tha se shpreh keqardhje për këtë anulim dhe e falënderon krerët institucional presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.“Ju informojmë se vizita e ish-ministrit francez të Punëve të Jashtme dhe Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Bernard Kouchner në Kosovë, fatkeqësisht është dashur të anulohet për shkak të problemeve logjistike të lidhura me udhëtimin e Dr Kouchner. Ju njoftojmë se vizita e tij do të realizohet në një datë të mëvonshme. Ambasada e Francës shpreh keqardhje për këtë pengesë dhe falënderon sinqerisht Presidenten, Kryeministrin, Kuvendin e Kosovës, Kryetarin e Prishtinës, Kuvendin komunal dhe të gjithë personalitetet e shoqërisë që pranuan të takohen me Dr Kouchner gjatë vizitës së tij”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada e Francës.

Kouchner sipas ambasadës kishte paraparë takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ku do t’i ndahej Çelësi i Qytetit, si dhe do të zbulohej pllaka e një rruge të emërtuar në emrin e tij më 11 qershor.

Kouchner po ashtu ishte pritur të mbajë një fjalim në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës më 12 qershor dhe vizita në Graçanicë ku do të takohej me përfaqësuesit e komunitetit serb, përfshirë ipeshkvin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosie.

Related Posts