Shitësi” me autor Andrin Aliu, është ndër librat më të rinj që i është shtuar letërsisë shqiptare. Tematika që trajtohet në rreshtat e këtij botimi, personazhet dhe vetë ngjarja, bënë që kjo vepër e zhanrit roman, të pritet mjaft mirë nga dashamirët e leximit.Në mesin e shumë autorëve e librave të pa numërta që lexuesit mund të hasin, “Shitësi” vlerësohet të jetë një zgjidhje e duhur.Pasioni i madh për letërsinë që nga vitet e gjimnazit, për të vazhduar tutje me vite të tëra, bëri që shkrimtari Andrin Aliu, në dhjetor të vitit të kaluar të hyjë në skenën e letërsisë shqiptare me botimin e tij të parë.
Përkushtimin e tij trevjeçar të shkrimit, Aliu vendosi ta quajë “Shitësi”. Libër ky për të cilin, ai gjatë një interviste tregon se si erdhi ideja deri te botimi i tij.
Ideja për ta shkruar një libër të tillë si ‘Shitësi’, që është i zhanrit roman, ka ardhur si rezultat i pasionit tim për letërsinë, si rezultat i përpjekjeve të mija të vazhdueshme që të angazhohem në fushën e letërsisë, qysh nga vitet e gjimnazit, pastaj pas diplomimit tim e deri më tani. Pra, është si fryt i pasionit tim për letërsinë. Pastaj, vendosa që ta shkruaj këtë libër, i cili burimin e ka nga ato çfarë unë kam lexuar në të shkuarën dhe që vazhdoj të lexoj edhe tani. Duke pasur parasysh skicimin e idesë së librit, pastaj kohëzgjatja e shkrimit deri te botimi, mund të them se ka marrur diku rreth 3 vite. Kam filluar në verën e vitit 2020, në vitin pandemik dhe ka zgjatur deri në vjeshtën e vitit 2023, diku në dhjetor ku ishte edhe dita e botimit të tij”, thotë Aliu.
Në një epokë ku ngjarjet politike dhe emocionet shoqërore formojnë sfondin e jetës së përditshme, librat shpesh janë një udhërrëfyes i rëndësishëm për të kuptuar thellësisht realitetin.
Për KosovaPress, Aliu potencon se “Shitësi”, shpalos një vizion tërheqës të këtij realiteti, duke ekspozuar aspektin psikologjik të personazheve të tij dhe duke i lidhur ato me të kaluarën e brezit të ‘81-ës.Ky libër i parë në karrier
Aliu thotë se komentet e mira ndikuan që ai të vazhdojë të krijojë vepra të mrekullueshme në të ardhmen.
“Duke pasur parasysh ngjarjen që zhvillohet në libër dhe tërë ngjarjen, por edhe atë se çfarë unë jam përpjekur ta paraqes aty, mendoj se është një libër i cili vënë në pah aspektin psikologjik të personazheve, duke ndërlidhur të shkuarën e një brezi të 81-shit. Pra, atëherë kur ndodhin demonstratat e mëdha politike dhe që paraqitet në formën e tanishme përmes një djaloshi të ri, i cili e bën këtë ndërlidhje mes të shkuarës dhe të tashmes, duke i paraqitur dy realitete që në fakt, diku në një masë përputhen dhe ka dalur tërë ngjarja apo rrëfimi që paraqiten në veten e parë nga një djalosh gjimnazist…Është libri im i parë. Është pritur mjaftë mirë nga dashamirët e librit. Nga ata që e duan letërsinë kam marrë komente të mira dhe ata që e kanë lexuar iu ka pëlqyer dhe më kanë inkurajuar që të vazhdoj edhe më tutje të merrem me shkrime”, potencon Aliu.Përkundër këtyre, Aliu thotë se mungon përkrahja e shkrimtarëve të rinj nga institucionet shtetërore.
Ai tregon se botimin e kësaj vepre e ka bërë me mjetet tij vetanake, derisa potencon se autorët duhet të kenë përkrahje institucionale.
“Sa i përket çështjes së botimit, gjithçka deri më tani e kam bërë me mjetet e mija vetanake. Nuk është që kam pasur ndonjë përkrahje, apo që kam përfituar diçka materialisht, por ka të bëjë gjithçka nga pasioni për letërsinë dhe dihet që ata që merren me libra, veçanërisht në Kosovë, nuk kanë ndonjë përfitim material. Por, është kryesisht për shkak të dashurisë që kemi ndaj librit dhe asnjëherë për shkak të përfitimeve tona materiale.Jo vetëm unë, por çdo autor i ri dhe çdokush që shkruan në vendin tonë duhet të ketë përkrahje institucionale”, thotë Aliu.