Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot takime të ndara me kryesinë e partisë dhe kolegjiumin e kryetarëve të degëve të PDK-së, ku temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit politike në vend.Krasniqi ka shprehur keqardhje për humbjen e mundësisë për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.Ai ri-përsëriti se PDK-ja e ka dëshmuar seriozitetin e saj për t’i dhënë fund keqqeverisjes aktuale dhe vazhdon të jetë e gatshme për cilindo variant që do të mundësonte zgjedhje të parakohshme.
“Deri atëherë, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm opozitar në vend”, ka thënë Krasniqi.
Duke theksuar se Kosovës i duhet një qeveri kredibile, Krasniqi tha se PDK e ofron alternativën më të mirë për qytetarët përmes vizionit dhe programit të kandidatit të saj për kryeministër Bedri Hamza.