Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mbajtur konferencë për media lidhur me rastin e njohur në opinion si “Albkings”.
Prokuroria ka bërë të ditur se deri më tani janë arrestuar 7 persona, tre prej të cilëve janë administratorë të këtij grupi.
Në mesin e të arrestuarve është edhe F.P i cili është edhe administratori kryesor dhe krijuesi i këtij grupi.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi tha se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmojë dhe arrestoj të gjithë kryerësit e veprës së penale ‘vjedhjes së identitetit’.
“Falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët kemi arritur që këtë rast delikatë të arrestojmë brenda një afati të shkurt kohor të dyshuarit”, tha Gashi.
Ai shtoi se marrë parasysh se rasti vazhdon të jetë në hetim, ka gjasa që rasti të zgjerohet edhe në pista tjera.
Ndërkaq, zëvendësprokurorja Erza Bajrami Kastrati bëri të ditur se ky grup është mbyllur përfundimisht.
“Kemi arritur që këtë grup ta mbyllim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestojmë shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë ajo.
Bajrami-Kastrati ka bërë të ditur se më 16 prill 2024 është lëshuar aktvendimi për ndalim e të pandehurit E.N njërin nga administratorët e këtij grupi. Brenda afatit ligjor është bërë kërkesa për caktimin e paraburgimit dhe të njëjtit me vendim nga gjykata i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.
“Më 23 prill 2024 është arrestuar personi i dytë i gjinisë femërore E.S e cila duke qenë njëra nga administratorët e grupit në fjalë dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje ‘vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’. Edhe ndaj kësaj është paraqitur masa e paraburgimit që i është vazhduar edhe për dy muaj me vendim të gjykatës”, tha Bajrami-Kastrati.
Ajo shtoi se më 23 maj 2024 pas veprimeve të vazhdueshme hetimore, Prokuroria ka lëshuar aktvendim për ndalimin e personit të tretë F.P ndaj administratorit kryesor dhe krijuesit të grupit “Albkings” dhe ndaj të njëjtit është parashtruar kërkesa për paraburgim dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga ana e gjykatës.
“Që nga mbyllja e parë grupi është rihapur edhe dy herë të tjera, por përfundimisht tashmë ky grup është mbyllur”, tha ajo.