Emërimi i Vincent Kompany si trajner i ri i Bayern Munichut është një tronditje e vërtetë në botën e futbollit dhe Fabrizio Romano ka zbuluar se Pep Guardiola kishte “dorë” në këtë punë.
Pas sezonit më të vështirë në dekada, gjiganti bavarez vendosi të befasojë të gjithë botën duke emëruar Vincent Kompany si trajner të ri.
Në sezonin e rikuperimit të gjigantëve bavarez, ata do të drejtohen nga një njeri që u rrëzua nga liga pak javë më parë. Ai udhëhoqi Burnleyn dhe u rrëzua nga Liga Premier ku gjatë gjithë sezonin arriti vetëm pesë fitore, ndaj kjo lëvizje e Bayernit befasoi si tifozët e klubit, ashtu edhe të gjithë ata që e ndjekin futbollin.
Prej ditësh shtrohet pyetja se si i erdhi ideja e Bayernit për të emëruar Kompanyn dhe gazetari italian Romano zbulon se në gjithçka ka luajtur rol edhe Guardiola.
Një nga menaxherët më të mirë të ditëve të sotme ka stërvitur Kompany për një kohë të gjatë në Manchester City dhe është i bindur për cilësitë e tij si trajner dhe i ka rekomanduar shërbimet e tij Bayernit.
Guardiola ka qëndruar në marrëdhënie të shkëlqyera me drejtuesit e Bayernit, pasi ka drejtuar edhe klubin bavarez gjatë karrierës së tij, ndërsa tani ka rekomanduar Kompanyn.
Trajneri i Manchester Cityt e përshkroi belgun si një menaxher të talentuar, një njeri të zgjuar dhe një kandidat ideal për bankinën e Bayernit.
Edhe pse ra nga kategoria në Angli, Kompany tërhoqi vëmendjen duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e lojës së Burnley. Nën drejtimin e tij, ekipi luajti shumë më sulmues dhe më ndryshe në krahasim me epokën e Sean Dyche, dhe me lojën e tij, ai arriti të fitonte një vend në Ligën Premier, një vit më parë.