Grupi Ndërkombëtar i Krizave korrigjon pjesën ku thuhet se KFOR-i “negocioi tërheqjen e grupit të Radojçiqit”

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka ndryshuar një segment të raportit të tij në lidhje me përfshirjen e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, i njohur si KFOR, në negociatat për largimin e terroristëve/paraushtarakëve serbë në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator të 2023-ës. GNK-ja pranoi se versioni origjinal përmbante “deklaratë të gabuar” në lidhje me këtë çështje. Ky informacion do të referohej në një draft-raport të planifikuar për miratim nga Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Në raportin e Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri, pika 51, duke cituar Grupin Ndërkombëtar të Krizave, thuhet ndër të tjera se KFOR-i negocoi tërheqjen për në Serbi të rreth 30 sulmuesve paraushtarak e terroristë që udhëhiqeshin nga kryeorganizatori i sulmit, Milan Radojçiq.“Pas një periudhe të shkurtër deeskalimi gjatë verës, në shtator 2023, rreth 30 persona të armatosur u përleshën me policinë në Banjska në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda një manastiri ortodoks serb, duke rezultuar në një rrethim që vrau një oficer policie dhe tre sulmuesit ( Dunai, 2023). Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, në të cilat ata u zhdukën (ICG, 2024)”, thuhej ndër të tjera aty.

Aty thuhej që KFOR-i, duke u frikësuar nga një “gjakderdhjeje”, kishte negociuar tërheqjen e paraushtarakëve serbë që ia kishin mësyer veriut në shtatorin e vitit të kaluar.

“Një përplasje e tensionuar pasoi midis grupit dhe policisë speciale të Kosovës që i rrethonte. Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”. – thuhej në raport.

Kjo nxiti reagimin e vetë misionit paqeruajtës në Kosovë duke e quajtur “të pasaktë” se ata ishin përfshirë në negociata për largimin e sulmuesve.

“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e KFOR-it.

Pas kësaj, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ndryshoi tekstin, duke pranuar pasaktësitë në versionin origjinal që tregonte përfshirjen e KFOR-it në negociatat për tërheqjen e grupit.

“*Ky tekst u përditësua më 28 maj 2024. Versioni origjinal i këtij raporti gabimisht deklaroi se personeli i KFOR-it negocioi tërheqjen e grupit të armatosur serb nga bllokimi në Banjskë.” – thuhet në tekstin e përditësuar të GNK-së.

Related Posts