Kurti takohet me sekretarin e Jashtëm britanik: Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjskë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka takuar sekretarin e Jashtëm britanik, James Cleverly.

Kreu i ekzekutivit përmes një postimi të bërë në plaftormën “X” ka thënë se me të kanë biseduar për situatën aktuale me të cilën po përballet Kosova.

Tutje ai ka shkruar se sekretarit Cleverly ia ka theksuar nevojën që të mbajtur Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

“Diskutuam situatën aktuale me të cilën përballet Kosova. Theksova nevojën për të mbajtur Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist dhe shkeljet e tjera dhe theksova rëndësinë e mbështetjes së sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Kryeministri Kurti në “X”.

Për sulmin terrorist të 24 shtatorit, Kryeministri Kurti foli edhe sot në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, ku tha se Serbia katër herë për dy vjet solli ushtrinë në kufirin e Kosovës.

“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë. Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, ka thënë kryeministri Kurti.

Related Posts