Scholz: Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog

Olaf Scholz thotë se sulmi në veri dha mesazhin se ka ardhur koha për t’i tejkaluar konfliktet duke e zbatuar marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kancelari i Gjermanisë pritet ta takojë në Tiranë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ai akt s’duhet të kalojë pa u ndëshkuar.

Për kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, përshkallëzimi i situatës në veri së fundmi dëshmon nevojën që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Scholz gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë tha se ka ardhur koha për tejkalimin e konflikteve dhe se ky është mesazhi i marrë nga sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës.

“Përshkallëzimi i tensionit mes Kosovës dhe Serbisë tregon domosdoshmërinë për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve fqinje. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet që kanë vijuar shumë më gjatë, që mbajnë të gjithë në vend numëro. Sulmi në veri të Kosovës e dha këtë mesazh. Marrëveshjet e firmosura vitin e kaluar në Berlin kanë ndikim konkret tek qytetarët e BP. Tregu i përbashkët rajonal është më konkret se kurrë”, tha kancelari gjerman gjatë fjalës së tij.

Në margjina të samitit, Scholz pritet ta takojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili në sesionin e parë të samitit sot, zgjodhi të fliste kryesisht për “aktin e ligë të sponsorizuar nga Serbia”.

“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë”, tha Kurti.

“Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, shtoi ai.

Kërkesa e kancelarit Scholz për zbatimin e marrëveshjes vjen pasi Bashkimi Europian dhe SHBA-ja kërkuan rikthim urgjent në dialog. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë së fundmi se është “jetike” dhe “urgjente” kthimi në dialog, ashtu siç është shprehur edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde më herët. Ndërsa zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se “nuk ka asnjë rrugë tjetër, pos kthimit në dialog”.

Por presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë deklaruar mosgatishërinë e Kosovës për t’u kthyer si zakonisht në dialogun me Serbinë, pas sulmit të 24 shtatorit.

Osmani nuk e takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Granada të Spanjës më 5 tetor, atje ku po qëndronin të dy për samitin e Komunitetit Politik Europian. Ajo tha se nuk kishte arsye të fliste me të para se ndaj vendosen sanksione ndaj Beogradit.

“Nuk ka arsye për t’u takuar para se të vendosen sanksione kundër Vuçiqit. Sanksionet fillimisht e më pas mund të diskutojmë për të tjerat”, u shpreh Osmani.

Ndërsa Konjufca beson gjithashtu se dialogu s’është në rend tash. Ai ka thënë se Kosova aktualisht nuk e ka prioritet këtë proces.

“Tash procesi politik është në rend të tretë. Në rend të parë është çështja e sigurisë së Kosovës. Unë mendoj që sot Policia e Kosovës nuk është duke menduar për Asociacionin, është duke menduar se si ta shmangë një sulm të ardhshëm nga shteti serb, që mund të na vijë”, tha kryeparlamentari gjatë një vizite të fundit në Berlin.

Konjufca i akuzoi ndërmjetësuesit europianë, kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak se me qasjen e tyre në dialog e kanë inkurajuar Serbinë për të ndërmarrë sulme si ai i 24 shtatorit.

“Rezultati i kësaj çështjeje ka qenë inkurajimi i Serbisë që provoi me kësi sulmi mos është rasti për aneksimin e veriut të Kosovës”, tha ai.

Related Posts