Albion Rrahmani pritet të rikthehet vitin e ardhshëm

Albion Rrahmani ishte i pafat javën e kaluar teksa luajti për herë të parë si startues për Kombëtaren e Kosovës, në fitoren ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024.

Fatkeqësisht, kjo ndeshje nuk shkoi mirë për sulmuesin kosovar pasi u lëndua rëndë dhe u desh të largohej nga loja me barelë.

Pas ekzaminimeve mjekësore u kuptua se thyerja në nyjën e këmbës e Rrahmanit do të kërkojë patjetër operim.

Ky lëndim, e ka dëmtuar edhe ekipin e tij, Rapidin e Bukureshtit, për të cilët paraqitet.

Është mediumi rumun, “Prosport” ka shkruar se trajneri i Rapidit Cristiano Bergodi nuk do të mund të llogaris në shërbimet e sulmuesit kosovar deri në janar të vitit të ardhshëm, që do të thotë se minimalisht ai ka humbur tetorin, nëntorin dhe dhjetorin, përcjell “Gazeta Express”.

Nëse gjithçka shkon mirë në fazën e shërimit të Rrahmanit, atëherë për pjesën e dytë të stinorit, Rapid Bukuresht do të mund të llogaris te Rrahmani.

Rapidi në komunikatën e shkruar për lëndimin e lojtarit ka thënë se janë plotësisht në përkrahje të lojtarit të tyre, duke besuar se ai do të kthehet edhe më i fortë në fushë të lojës.

Përndryshe, Rrahmani ka nisur në mënyrë fantastike aventurën e tij me skuadrën rumune, duke qenë golashënuesi më i mirë i ekipit me gjashtë gola në shtatë ndeshje të luajtura.

Related Posts