Ilaçet bimore me përshkrimet se janë “hallall” dhe me “cilësi 100% të garantuar” janë tashmë pamje e përditshme e secilit prej nesh i cili ka qasje në të paktën një platformë sociale.
Biznese të paverifikuara në po këto platforma sugjerojnë dhe promovojnë vazhdimisht barna gjoja shëruese për secilën sëmundje duke përfshirë veshkat, kanalet urinare, tumore të ndryshme e kancer.
Në hulumtimin e KIKS Kosova lidhur me shitblerjen ‘online’ të ilaçit siç thuhet “për Gurë në Veshkë dhe Idhëz, prodhim i vjetër popullor 100% bio”, emisioni ka arritur të marrë informata minimale nga shitësit lidhur me përbërjen dhe origjinën e këtyre produkteve që prekin shëndetin e qytetarëve.
Duke qenë kështu, Kiksi u drejtua tek Klinika e Nefrologjisë në QKUK, degë e mjekësisë së brendshme që merret me studimin e funksionimit dhe të sëmundjeve të veshkave.
Në një intervistë për emisionin, nefrologu Ibrahim Rudhani i cili njëherësh është edhe shef i kësaj klinike në QKUK, tregoi se trajtimi i gurëve në veshka varet tërësisht nga burimi dhe natyra e krijimit të tyre.
Sipas nefrologut, barnat popullore edhe mund të jenë shëruese, mirëpo edhe të rrezikshme. Andaj, pa e ditur përbërjen e saktë të ilaçeve të tilla, Rudhani nuk sugjeron përdorimin e tyre.
Profesori universitar tha për KIKS-in që trajtimi i kësaj sëmundje duhet bërë me barna që përkojnë me llojin e gurit ngase jo secili trajtohet në formën e njëjtë.
Ndër të tjera, nefrologu i tha Kiksit se kishte pasur raste të cilët kishin përdorur ilaçe popullore dhe nga pasojat e tyre ishin drejtuar për trajtim mjekësor në QKUK.